Alba Mhilli -Mbrëmje gala!

Sonte,kur vetmia krahët ka shtrirë e mbi shpirtin tim po pushon,unë vendosa të të rikrijoj.
Mbylla sytë dhe ja tek të shoh që shkujdesur me një fustan të kuq,bisedon
Mbrëmje gala!
Buzëqesh me një vendosmëri vrastare e duart si valë liqeni lëvizin.
Ngadalë…
Diku kam lexuar se shpirti thuret,me yje!
Hapa sytë e krijova lumturinë,mori formën e njeriut,cuditërisht.
I vendosa mbi kokë një kurorë
Ishin mendimet e tua të çiltërta
E vesha me kostumin e madhështisë tënde e qiellin e ngrita
I vendosa mbi buzë puthjen tënde e fije të arta qëndisa
Mbylla sytë sërish
Dora mbi fustan rrëshqet butësisht,shikime që vidhen e puthje që jepen pa besë,pa frymë aq dhunshëm.
Duar që lëshohen pa dashur
Koka që kthehen pa shmangur
Sy që kërkojnë në sallën plot
Mbrëmje gala thamë!
Diku kam lexuar se zemra rreh sërish,po dashurove
Mbi lumturinë rrahjet e tua vendosa,aq të shpeshta aq të gjalla aq të vërteta
Epo ja dola,edhe sonte të rikrijova…
Diku kam lexuar se lumturia lind në natë yjesh
Mbrëmje yjesh thonë…